bird bird

Përse Nuk Mundet Universi Që Thjesht Të Fillojë Pa Një Shkak?

Përse Nuk Mundet Universi Që Thjesht Të Fillojë Pa Një Shkak?

[Justin Brierly]:  Një tjetër pyetje që mund të lidhet me punën tënde të mirë vendosur lidhur me argumentin kozmologjik Kalam (argument për ekzistencën e Zotit). Unë e di që i je përgjigjur kësaj pyetjeje disa herë, por Nathan është duke pyetur, dhe mendoj që është e nevojshme t’i kujtojmë vetes përgjigjen tënde. Së pari, ai pyet: “Përse nuk mundet universi që thjesht të fillojë pa një shkak?” Dhe së dyti, “nëse shkaqet janë marrëdhënie midis ngjarjeve në kohë dhe hapësirë, përse universi, duke mos qenë një ngjarje që i përket kohës dhe hapësirës, të kishte nevojë për një shkak?” Për të vendosur kontekstin e duhur, kjo pyetje dukshëm duket e lidhur me argumentin kozmologjik Kalam, në të cilin ti thua se çdo gjë që fillon të ekzistojë ka një shkak. Universi filloi të ekzistojë. Prandaj, universi ka një shkak. Dhe më tej, ti jep arsye për të argumentuar se përse ky shkak shpjegohet më mirë me ekzistencën e Zotit. Për ta përmbledhur sërisht këtë pyetje, përse nuk mundet universi që thjesht të fillojë pa një shkak, dhe çfarë mund të thuhet për faktin që ai nuk duket se ka të njëjtat lloje cilësish si shkaqet e tjera të cilat janë të varura nga koha dhe hapësira.

[William Lane Craig]:  Për të folur së pari për pikën e dytë, mendoj që është një supozim i pajustifikueshëm të thuash se lidhja shkak-pasojë qendron vetëm midis ngjarjeve në kohë dhe hapësirë. Nuk mund ta imagjinoj dot se si do të dukej një argument që mbështet këtë supozim, e prandaj, unë mendoj që ky është një supozim i pajustifikueshëm. Për tu rikthyer tek kushti shkak-pasojë i argumentit tim, unë kam dhënë gjatë punës sime të shkruar tre argumenta për vërtetësinë e këtij kushti shkak-pasojë, ku secili prej tyre do të mjaftonte për ta bërë këtë argument më të mundshëm për të ngjarë se sa e kundërta, e ku të gjithë bashkë formësojnë një argument të plotë për vërtetësinë e tij. Së pari, parakushti i lidhjes shkak-pasojë i ka rrënjët në parimin e parë metafizik që diçkaja nuk mund të vijë nga asgjëja, e që qenia vjen vetëm nga qenia. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë universi, duke qenë gjithçka është në një botëkuptim ateist, nuk mund të vijë në ekzistencë pa një shkak, sepse qenia lind vetëm nga qenia. Së dyti, nëse gjërat mund të vinin në ekzistencë pa një shkak, pra, nëse qenia mund të lindë nga jo-qenia, atëherë bëhet e pashpjegueshme se përse diçka dhe gjithçka nuk krijohet pa një shkak. Ky pohim do ta shkatërronte përfundimisht shkencën. Dhe së treti, do të ishte prova induktive që ne kemi për kushtin shkak-pasojë; kushti vërtetohet në mënyrë të vazhdueshme përmes eksperiencës sonë, dhe asnjëherë nuk rezulton i gabuar. Prandaj, unë mendoj që kemi një provë induktive të mjaftueshme për këtë çështje. Pra, ne kemi edhe arsye filozofike dhe arsye jetësore për të pohuar se çfarëdo që fillon të ekzistojë e ka një shkak.