bird bird bird

Lindja e Perëndisë

Summary

A ka kuptim të thuhet se Krishtlindja shënon lindjen e Perëndisë? Kjo pyetje risjell debatet kryesore teologjike të shekullit të katërt dhe pestë – Si Jezus Krishti mund të konsiderohet edhe njerëzor edhe hyjnor. Më poshtë Dr. Craig tregon të kuptuarin e tij sesi natyrat njerëzore dhe hyjnore të Jezusit bashkohen në një individ të vetëm, se si dobësitë dhe eksperiencat e Tij ishin të thella dhe kuptimplota, se si mundet dikush të festojë në mënyrë bindëse “lindjen e Perëndisë” në kohën e Krishtlindjes.

Sonte më është kërkuar të flas mbi “Lindjen e Perëndisë”. Titulli është shokues sepse duket si i pamundur për t’u kuptuar. Si mundet Perëndia, Krijuesi i pakrijuar i gjithshkaje, të lindë? Si mundet që një qenie e cila është vetë – ekzistente dhe e përjetshme, Krijuesi i kohës dhe hapësirës, të lindë? Nuk duket sikur ka shumë kuptim.

Por përsëri në Krishtlindje kjo është, në një mënyrë, pikërisht çfarë të krishterët festojnë. Doktrina e krishterë e mishërimit pohon se Jezus Krishti është Perëndia në mish. Prandaj Jezusi ishte plotesisht Perëndi dhe po ashtu plotësisht njeri. Ai lindi nga virgjëresha Mari; kjo do të thotë, Jezusi pati një ngjizje mbinatyrore dhe një lindje tërësisht natyrore. Duke qenë se Jezusi ishte Perëndia në mish, e ëma e tij Maria për këtë arsye është quajtur në kredot e hershme të krishtera “nëna e Perëndisë”, apo “mbajtësja e Zotit”. Kjo nuk është sepse Perëndia në një farë mënyre lindi si rezultat i ngjizjes së Marisë apo sepse Maria “lindi” Perëndinë. Më saktë Maria mund të quhej “mbajtësja e Zotit” sepse personi të cilin ajo mbarti ne mitër dhe lindi ishte hyjnor. Kështu, lindja e Jezusit në këtë kuptim ishte lindja e Perëndisë.

Por kjo vetëm sa e zmbraps problemin pakëz. Si mundet që Jezusi të jetë edhe Perëndi edhe njeri, siҫ besojnë të Krishterët? Nëse ka diҫka që duket si kontraditë, kjo është! Sepse, karakteristikat e të qenurit hyjnor dhe karakteristikat e të qenurit njerëzor duket, të dyja, përjashtojnë të njëra – tjetrën, fikin njëra-tjetrën. Perëndia është vetë – ekzistent, i domosdoshëm, i përjetshëm, i gjithëpushtetshëm, i gjithëdijshëm, i kudogjendur e kështu me radhë. Por qeniet njerëzore janë të krijuara, të varura, të limituara me kohë, në fuqi, në njohuri, e në hapësirë. Pra, si mundet një person të jetë edhe njerëzor edhe hyjnor?

Lindja e Perëndisë – Bibla e përshkruan Jezusin si bashkarisht njerëzor dhe hyjnor

Tani në këtë rast i Krishteri i vënë në vështirësi nga kjo pyetje tundohet të shmangë problemin thjesht duke e mohuar se Jezusi ishte vërtetë hyjnor ose duke mohuar se ai ishte vërtetë njerëzor, më lejoni t’ju them se Bibla nuk na e lejon këtë mundësi. Testamenti i Ri thekson hyjninë dhe njerëzinë e Jezus Krishtit dhe na e lë ne problemin. Merrni, për shembull, kapitullin hyrës të ungjillit sipas Gjonit. Ungjijtë e Mateut dhe Lukës e nisin historinë me ngjizjen e mbinatyrshme dhe lindjen nga një virgjëreshë; por ungjilli i Gjonit merret me një perspektivë kozmike, në të cilën ai përshkruan mishërimin e Fjalës para – ekzistuese të Perëndisë. Ai shkruan,

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij; dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perëndia; emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita; por u dërgua për të dëshmuar për dritën. Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. . . .

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

Gjoni dëshmon lidhur me të. Ai thërret, duke thënë, “Ky është ai për të cilin thashë, ‘Ai që vjen pas meje zë vend përpara meje.’” Nga plotësia e hirit të tij ne kemi marrë hir mbi hir. Sepse ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. Askush nuk e pa Perëndinë kurrë, i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et është ai që e ka bërë të njohur.

Këtu Gjoni e përhkruan Jezusin si “Perëndi,” Krijuesin e gjithshkaje, i cili u bë mish dhe hyri në histori rreth 2’000 vjet më parë në tokën e Judesë. Pra, implikimi është i pashmangshëm, po aq sa edhe problemi që paraqet: Jezusi ishte edhe njerëzor edhe hyjnor.

Ndërsa brezat që pasuan kishën e hershme mundoheshin të kuptonin doktrinën e mishërimit, disa njerëz e zgjidhën këtë kontraditë në dukje, në një mënyrë që e mohonte njërin apo tjetrin pol të mësimit biblik. Grupe të tilla si Gnostikët apo Dosetikët, për shembull, e mohuan se Krishti ishte tërësisht njerëzor. Ai u duk sikur mori formën njerëzore; mishi i Krishtit ishte thjeshtë një iluzion apo një maskim, dhe vuajtjet e supozuara të tij ishin thjesht të dukshme. Nga ana tjetër, grupe të tilla si Adoptinistët apo Eutikitët mohuan hyjninë e vërtetë të Krishtit. Jezusi i Nazaretit ishte thjesht një njeri i vdekshëm të cilin Perëndia e birësoi si Birin e Tij dhe e pranoi në parajsë. Në kundërshtim të këtyre grupeve majtas dhe djathtas, kisha e hershme në mënyrë të vazhdueshme dënoi si herezi çdo mohim të njerëzisë apo hyjnisë së Krishtit.

Sado kontradiktore apo misterioze mund të dukej, teologët i qendruan besnikërisht pohimit biblik se Jezus Krishti ishte tërësisht Perëndi dhe tërësisht njerëzor.

Lindja e Perëndisë – Debati mbi natyrën e Krishtit

Me kohën në kishën e hershme u dukën dy qendra të debatit teologjik mbi mishërimin, njëri në qytetin e Aleksandrisë në Egjypt dhe tjetri në qytetin e Antiokisë në Siri. Të dy shkollat e mendimit u bashkuan në afirmimin se Jezu Krishti ishte edhe njerëzor edhe hyjnor; por secila e ofronte një mënyrë të ndryshme të të kuptuarit të mishërimit. Më lejoni t’i shpjegoj sepse këto pamje do të shërbejnë si një platformë për propozimin tim pak më vonë.

Teologët e Aleksandrisë dhe Antiokisë presupozuan se gjërat kanë natyrë, çka do të thotë, cilësi themelore që përcaktojnë çfarë lloj gjëje është diçka. Për shembull, një kalë ka natyrë të ndryshme nga një derr, dhe të dy këta janë të ndryshëm nga natyra me një qenie njerëzore. Sipas filozofit të madh Grek Aristotelit natyra e qenieve njerëzore është të qenurit kafshë racionale. Kjo do të thotë se një qenie njerëzore është e ndërtuar thelbësisht nga një shpirt racional dhe një trup fizik. Ky kuptim mbi natyrën njerëzore u pranua njëlloj nga teologët e Aleksandrisë dhe Antiokisë. Për më tepër, Perëndia në këtë këndvështrim, ka po ashtu një natyrë, që përfshin cilësi si, vetë-ekzitent, i përjetshëm, i gjithë- pushtetshëm, i gjithë-dijshëm, e kështu më radhë.

Tani mosmarrëveshjet mes Aleksandrisë dhe Antiokisë përmblidheshin në këtë pikë: a kishte Jezus Krishti një natyrë apo dy natyra? Teologët e Aleksandrisë thonin se mishërimi i Krishtit kishte një natyrë që ishte një bashkim i cilësive njerëzore dhe hyjnore. Një nga propozimet më të mençura që doli nga kjo shkollë u afrua nga peshkopi Apolinar, i cili vdiq rreth viteve 390 pr. l. K. Apollinari propozoi se mishërimi i Perëndisë Bir, personi i dytë i trinisë, mori trup njerëzor, pra që Jezus Krishti kishte një trup njerëzor por një mendje apo shpirt hyjnor. Perëndia pra erdhi të përjetonte botën përmes një trupi njerëzor dhe të vuante në këtë trup, ndërkohë që mbetej pamëkat dhe i pagabueshëm ndaj Personit të Tij. Krishti pra kishte një natyrë hyjnore – njerëzore dhe kështu ishte edhe Perëndi edhe njeri.

Teologët e Antiokisë e sulmuan pikëpamjen e Apollinarit në dy fusha. E para, ata thanë se në pikëpamjen e Apollinarit Krishti nuk kishte natyrë tërësisht njerëzore. Ai kishte vetëm një trup njerëzor. Por shpirti i tij ishte hyjnor. Të qenurit tërësisht njerëzor përfshin të kesh një trup dhe shpirt njerëzor. Kjo e dallon njeriun nga kafsha, shpirti i tij racional, jo trupi i tij fizik. Teologët e Antiokisë akuzuan kështu se pikëpamja mbi mishërimin e Apollinarit përmbledh se Zoti bëhet kafshë, jo njeri. Kundërshtimi i tyre i dytë, lidhej me të parin. Duke qenë e qëllimi i mishërimit ishte shpëtimi i njerëzimit, dhe Krishti nuk u bë tërësisht njeri, atëherë shpëtimi ishte i pavlerë. E gjithë arsyeja pas mishërimit ishte se duke u bërë njëri prej nesh dhe duke u identifikuar me njerëz si ai, Krishti do t’ia ofronte jetën e tij pa mëkat Perëndisë si një ofertë sakrifikuese në vendin tonë. Në kryq Jezus Krishti ishte zëvendësuesi ynë; ai mori ndëshkimin e mëkatit që meritonim ne. Jezusi është pra Shpëtimtari i të gjithë atyre që e vendosin besimin e tyre tek ai. Por nëse Krishti nuk ishte tërësisht njerëzor, atëherë ai nuk mund të shërbente si përfaqësuesi ynë përpara Perëndisë, dhe vuajtjet e tij ishin të pavlera, dhe nuk ka shpëtim. Duke e mohuar tërësinë njerëzore të Krishtit, Apollinari e zhvlerësoi shpëtimin përmes Krishtit. Për këtë arsye në vitin 377 qasja e Apollinarit u dënua si heretike. Pyetja që mbetet, mendoj, është nëse qasja e Apollinarit është tërësisht e gabuar apo mund të përmbajë qoftë edhe një kokrrizë të së vërtetës që mund të shpëtohet akoma.

Çfarë alternative, atëherë, ofruan teologët e Antiokisë? Në kontrast nga Aleksandria, teologët e Antiokisë këmbëngulën se në mishërimin e Krishtit kishte dy natyra të plota, një njerëzore dhe një hyjnore. Ata besuan se Perëndia Bir, personi i dytë i Trinitetit, në një farë kuptimi zotëronte njeriun Jezus që nga momenti i ngjizjes në barkun e Marias. Një peshkop i famshëm i shkollës Antiokease me emrin Nestor e kundërshtoi kështu të quajturin e Marias “mbajtësja e Perëndisë” sepse ajo çfarë ajo mbajti ishte natyra njerëzore e Krishtit, jo Perëndia. Natyra njerëzore e Krishtit i përfshin të dyja, një trup dhe një mendje njerëzore, që ishin në një farë mënyre të marra apo të zotëruara nga Biri i Perëndisë.

Problemi me pikëpamjen e kishë së Antiokisë në mendjen e kundërshtarëve nga Aleksandria ishte se dukej sikur po implikonin se kishte dy persona në Krishtin. I pari, ishte personi hyjnor, person i dytë i Trinisë i cili ka ekzistuar përpara ngjizjes së mrekullueshme të Marisë. I dyti, personi njerëzor që u ngjiz dhe u lind nga Maria. Pra duket se kemi dy persona, një njerëzor dhe një tjetër hyjnor! Mendojeni në këtë mënyrë: një njeri ka një trup dhe një shpirt. Pra nëse Jezusi kishte një natyrë tërësisht njerëzore, përfshirë një trup dhe shpirt njerëzor, pse të mos ishte një njeri, i cili ekzistoi në momentin e ngjizjes dhe që u banua nga Perëndia Bir? Por në këtë rast nuk keni ngjizje të vërtetë, gjithshka që kemi është thjesht një njeri i banuar nga Perëndia. Nestori i pafat u etiketua si shkatërruesi i unitetit të personit të Krishtit, dhe kështu pikëpamja e tij u dënua si heretike në 431-shin.

Lindja e Perëndisë – Dy natyra të plota në një person

Pra çfarë mund të bëhej? Në mënyrë që të zgjidheshin mosmarrëveshjet midis Antiokisë dhe Aleksandrisë u mblodh një këshill ekumenik në Kalçedon në vitin 451. Pohimi i ngritur nga Këshilli është një përshkrim i thellë dhe i kujdesshëm i kanalizimit të një doktirne ortodokse të mishërimit. Kërkon të afirmojë çfarë është e drejtë në pikëpamjet e të dyja shkollave ndërkohë që dënon ku janë gabim. Në thelb, pohimi bie dakort me Antiokinë për diversitetin e natyrave të Krishtit por edhe me Aleksandrinë për unitetin e personit të tij: një person dy natyra. Më lejoni t’ju lexoj deklaratat e Këshillit.

Ne. . . rrëfejmë një dhe të njëjtin Bir, Zotin tonë Jezus Krishtin, të njëjtin në Perëndishmëri dhe njerëzi, tërësisht Perëndi dhe tërësisht njeri, të një shpirti dhe trupi të arsyeshëm, i njëjtë me Atin sipas Perëndishmërisë, dhe i njëjtë me ne sipas njerëzisë, si ne në të gjitha gjërat përveç mëkatit; i parëlindur në të gjitha kohët e Atit sipas Perëndishmërisë, dhe në të gjitha ditët e mëvonshme, për ne dhe për shpëtimin tonë, i lindur nga Virgjëresha Mari, Nënë e Perëndisë, sipas njerëzisë, një dhe i njëjti Krisht, Bir, Zot, i Vetmi i Parë-Lindur, të njihet në dy nayra pa ngatërresa, pa ndryshime, pa ndasi, pa ndarje, diferenca e natyrave në asnjë mënyrë të hequr për shkak të bashkësisë, por cilësia e çdo natyre e ruajtur dhe konkurrente në një Person dhe një Subsitencë, jo e copëzuar apo ndarë në dy Persona, por në një dhe të njëjtin Bir dhe të vetëm parëlindur Perëndi, Fjalë, Zotin Jezus Krisht. . . .

Pra sipas kësaj deklarate, Krishti është një person me dy natyra, njerëzore dhe hyjnore. Gabimet binjake që duhen shmangur janë, ta ndash personin dhe të ngatërrosh natyrat. Natyrat janë të dallueshme dhe të plota, dhe personi është një në numër.

Tani vini re se deklarata e Këshillit nuk merret të shpjegojë si një person mund të ketë dy natyra, një njerëzore dhe një hyjnore. Kjo u lihet debateve të mëtejshme teologjike. Por ajo në të cilën Këshilli këmbënguli ishte se nëse duam të kemi një doktrinë biblike të mishërimit, ne as nuk duhet të ndajmë personin e Krishtit në dy persona as nuk duhet ti përziejmë dy natyrat e tij në një natyrë.

Pra pyetja është: a mundet të bëhet kjo? A mund të ndërtohet një përshkrim logjikisht koherent dhe biblikisht i besueshëm i mishërimit? Shumë do ta cilësonin këtë një detyrë të pamundur. Mishërimi është një doktrinë të cilën ju ose e refuzoni si kontradiktore ose e pranoni si mister. Unë nuk jam dakort. Unë mendoj se mund të ndërtohet një përshkrim logjikisht koherent dhe biblikisht besnik i mishërimit. Dhe kjo është çfarë unë propozoj të skicoj shkurtimisht tani për ju. Do ta shpalos në tri hapa.

Lindja e Perëndisë – Racionaliteti ndahet në të dy natyrat e Krishtit

Hapi 1: Pranoj Këshillin e Kalkedonit se Krishti është një person i cili ka dy natyra. Mishërimi nuk duhet të mendohet si Perëndia e shndërroi Veten në një qenie njerëzore. Mishërimi është tërësisht ndryshe nga historitë e mitologjisë së perëndive të cilët shndërroheshin në njerëz apo kafshë për një farë kohe dhe pastaj ktheheshin në perëndi përsëri. Krishti nuk ishte njëherë Perëndi, pastaj qenie njerëzore, e më pas Perëndi përsëri. Por ishte Perëndi dhe njeri në të njëjtën kohë. Mishërimi nuk ishte çështje zbritjeje – heqja dorë nga disa atribute e Perëndisë për t’u bërë njeri. Mishërimi është çështje shtimi – marrja e natyrës hyjnore prej Perëndisë kur e kishte tanimë një tjetër, një natyrë të ndryshme, një natyrë njerëzore dhe në mishërim Perëndia Bir erdhi të ketë dy natyra, një hyjnore, të cilën e ka patur që nga përjetësia, dhe një njerëzore, që nisi në momentin e ngjizjes në barkun e Marias. Pra, ai ka të gjitha cilësitë e hynjisë dhe të gjitha cilësitë e njerëzisë.

Pyetja është: si mundet një person të ketë dy natyra të tilla? Kjo më çon në hapin e dytë.

Hapi 2: Jam dakort me Apollinarin se shpirti i Jezus Krishtit ishte Perëndia Bir. Çfarë pa me të drejtë Apolinari ishte se mënyra më e mirë për të shmangur falcitetin Nestorian e të pasurit të dy personave në Krishtin ishte të besosh disa elementë bazikë që i ndajnë natyra e tij njerëzore dhe natyra e tij hyjnore, pra që këto natyra të mbivendosen. Në propozimin e Apolinarit elementi bazë ishte shpirti i Jezus Krishtit. Fatkeqësisht, Apolinari me sa duket nuk mendonte se Krishti kishte natyrë plotësisht njerëzore, gjë për të cilën, kritikët e tij me të drejtë vunë re se kjo minonte njerëzinë e Krishtit dhe punën e tij shpëtuese.

Por a janë këto gabime të pikëpamjes së Apolinarit të përhershme? Nuk mendoj kështu. Kujtojmë se cila është natyra njerëzore: të jesh njeri është të jesh një kafshë e arsyeshme. Meqenëse Perëndia nuk ka trup, Ai nuk ka natyrë kafshërore. Por Perëndia është mendja e arsyeshme përfundimtare. Për këtë arsye Perëndia Bir i kishte tashmë, para mishërimit të tij arsyetimin dhe aftësinë e të qenurit një person i veçantë. Prandaj, kur mori trajtë njerëzore Perëndia Bir i solli në trupin fizik të Krishtit pikërisht ato cilësi që do ta ngrinin nga natyra e thjesht një kafshe në një qenie tërësisht njerëzore, të krijuar nga një trup dhe shpirt të arsyeshëm. Natyra njerëzore e Krishtit nuk mundet të ekzistojë në mënyrë të pavarur nga bashkësia e tij nga Perëndia Bir; do të ishte një trup i pajetë ose një zombi. Njerëzia e Krishtit vjen pikërisht nga bashkësia e Perëndisë Bir me mishin e tij. Prandaj, Krishti ka dy natyra të plota: një natyrë hyjnore, e cila ka para- ekzistuar që nga përjetësia, dhe një natyrë njerëzore, e cila nisi në barkun e Marisë si virtyt i bashkimit të Perëndisë Bir me mishin.

Ky riformulim i bën të pavlefshëm kundërshtimet tradicionale ndaj Apolinarizmit. Sepse, e para, Krishti i ka në këtë këndvështim dy natyra të plota, hyjnore dhe njerëzore, përfshirë një shpirt dhe trup të arsyeshëm. E dyta, si pasojë, Krishti është tërësisht njerëzor, dhe kështu vdekja e tij në vendin tonë është e vlefshme. Vini re se Krishti nuk është thjesht njeri, duke qenë se ai ishte edhe hyjnor, por ishte gjithësesi tërësisht njeri dhe kështu mund të qëndronte si zëvendësuesi ynë përpara Perëndisë, duke marrë ndëshkimet tona në mënyrë që ne të liroheshim.

Deri këtu, shkëlqyer! Mirëpo, propozimi nuk është akoma i plotë. Sepse nëse shpirti i Jezus Krishtit ishte Perëndia Bir, si mund të ketë kuptim portretizimi biblik i Jezusit si dikush që ka ndërgjegjie autentike njerëzore, duke u zhvilluar nga foshnjëria në burrëri? A sugjeron propozimi im se Jezusi ishte një lloj mbinjeriu, i pacënueshëm nga limitet njerëzore? Kjo na çon në hapin tim të tretë.

Hapi 3: Pohoj që aspektet hyjnore të personalitetit të Jezusit ishin kryesisht subkoshiente (në nënvetëdije) gjatë jetës së tij tokësore. Unë sugjeroj që karakteristikat mbinjerëzore të personit të Jezusit ishin kryesisht subkoshiente (në nënvetëdije). Ky sugjerim huazon nga urtësia e psikologjisë në thellësi, idenë që, ka më shumë në ndërgjegjen e një personi sesa ai është në dijeni. E gjithë ideja e psikoanalizës mbështetet në faktin që një pjesë e sjelljes tonë është e rrënjosur në burime të thella për të cilat ne jemi pak ose aspak të vetëdijshëm. Mendo një person që vuan nga ҫrregullimi i personalitet të shumëfishtë. Këtu kemi një shembull tepër goditës të daljes në sipërfaqe të aspekteve të subkoshiencës të mendjes së një individi në personalitete të ndërgjegjshme të dallueshme. Në disa raste kemi edhe një personalitet dominues i cili është në dijeni të gjithë personaliteteve të tjera dhe di cfarë secili prej tyre di por është i panjohur prej tyre. Hipnoza gjithashtu portretizon një demonstrim të gjallë të realitetit të nënvetëdijes. Siç e shpjegon Charlie Harris, një personi nën hipnozë mund t’i thuhen fakte të caktuara dhe të udhëzohet t’i harrojë ato kur të zgjohet, por, shkruan Harris, “njohuria është në të vërtetë në trurin e tij dhe e tregon këtë në mënyrë të pagabueshme, sidomos duke e bërë personin të performojë… veprime te caktuara, të cilat nuk do t’i kishte bërë pa patur këtë njohuri”. Shumë prej jush mund të kenë parë incidente shumë argëtuese të këtij fenomeni të paraqitur në kanale televizive, sesi një i ri i hipnotizohet që të mendojë se pema është një vajzë e bukur të cilës ai do që t’i propozojë për martesë. Harris vijon të thotë,

Ajo që është akoma më e jashtëzakonshme, është që një person më të ndjeshëm ndaj hipnozës, mund ta bësh edhe të shohë edhe të mos shohë të njëjtin objekt në të njëjtën kohë. P.sh.: Atij mund t’i thuhet që të mos e shohë një shtyllë drite dhe ai bëhet në kuptimin e zakonshëm, i paaftë për ta parë atë. Megjithatë ai e sheh atë, sepse e shmang dhe nuk mund ta nxisësh që të përplaset me të.

Në mënyrë të ngjashme, gjatë mishërimit të tij tokësor, Perëndia Bir lejoi që të ishin pjesë e ndërgjegjes së vetëdijshme të Jezusit, vetëm ato tipare të personit të tij që ishin kompakte me eksperiencën tipike njerëzore, ndërsa shumica e njohurisë së tij, si një ajsberg poshtë sipërfaqes së ujit, qëndron i zhytur në nënvetëdijen e tij. Në teori, unë po propozoj që Krishti është pra një person, por në atë person, elementët e të ndërgjegjshmes dhe të pandërgjegjshmes, shfaqen në një mënyrë teologjikisht domethënëse. Ndryshe nga Nestorianizmi propozimi im nuk implikon që ka dy persona, po aq sa edhe aspektet e vetëdijes apo nënvetëdijes së mendjes tënde nuk përbëjnë dy individë.

Lindja e Perëndisë – Një raport i kënaqshëm për Jezusin si hyjnor dhe njerëzor

Një teori e tillë siguron një raport të kënaqshëm për Jezusin siç e shohim të portretizuar tek ungjijtë. Në eksperiencën e tij të ndërgjegjshme (vetëdijshme), Jezusi u rrit në njohuri dhe urtësi, ashtu siç ndodh me një fëmijë njerëzor. Dikush nuk mund të jetë aq monstruoz sa të rrijë si një bebe e shtrirë në grazhd dhe ndërkohë të jetë duke parashikuar kalkulime infinite. Duke poseduar një ndërgjegje tipike njerëzore, Jezusit i duhej të përballej me frikën, dobësinë, dhe tundimin në mënyrë që ta rreshtonte vullnetin e tij me vullnetin e Atit të tij qiellor. Në eksperiencën e tij të ndërgjegjshme, Jezusi u tundua në të vërtetë, megjithëse në fakt ai është i pamundur për të mëkatuar. Tundimi nga mëkati u ndje vërtet dhe nuk mund të fryhej tutje si tym. Për t’i rezistuar tundimit duhej disiplinë shpirtërore dhe vendosmëri morale nga ana e Jezusit. Në ndërgjegjen e tij të vetëdijshme, Jezusi në fakt ishte i pa ditur për disa fakte, megjithëse i mbrojtur nga gabimet dhe shpesh i ndriçuar në mënyrë të mbinatyrshme nga nënvetëdija e tij hyjnore. Ndonëse Perëndia Bir zotëron gjithë njohurinë për botën nga mekanika kuantike deri te automekanika, nuk ka arsye të mendojmë që Jezusi i Nazaretit do të ishte i aftë, pa u mbështetur tek subkoshienca e tij hyjnore, t’u përgjigjej pyetjeve rreth këtyre temave, me aq poshtë sa ai kishte denjuar të përkulej për të marrë natyrën njerëzore. Për më tepër, në jetën e tij të ndërgjegjshme, Jezusi përjetoi të gjithë gamën e anktheve njerëzore dhe ndjeu dhimbjen fizike dhe lodhjen. Propozimi im ruan gjithashtu edhe integritetin dhe sinqeritetin e jetës së lutjes të Jezusit, dhe shpjegon pse Jezusi pati mundësinë të përsosej nëpërmjet vuajtjeve. Ai, ashtu si ne, kishte nevojë të ishte i varur nga Ati në çdo moment, në mënyrë që të jetonte si fitimtar në një botë të rënë dhe t’ia dilte me sukses në misionin, që Ati i kishte dhënë. Agonia në kopshtin e Gjetsemanisë, nuk ishte mashtrim i rëndomtë por tregonte betejën e vërtetë të Birit të mishëruar ne ndërgjegjen e tij te vetëdijshme. Të gjitha kundërshtitë tradicionale ndaj, “Perëndia Bir është mendja e Krishtit”, treten tutje përpara këtij kuptimi te mishërimit, sepse këtu kemi një Jezus që nuk është vetëm hyjnor por vërtet merr pjesë në natyrën njerëzore gjithashtu.

Pra a është teoria ime e propozuar e mishërimit e vërtetë? Mendoj se vetëm mund te themi: Zoti e di! Do të ishte arrogante për mua të pretendoja të kundërtën. Por ajo që unë pohoj është që teoria është bashkarisht, logjikisht koherente dhe biblikisht besnike, dhe është si rrjedhojë mundësisht e vërtetë. Dhe nëse është mundësisht e vërtetë, kjo heq çdo kundërshtim ndaj mishërimit, bazuar në pohimin që është një kontradiksion të thuash që Jezusi është plotësisht Zot dhe plotësisht njeri.

Por teoria bën më shumë se kaq besoj. Ajo gjithashtu shërben për t’i ngritur lavdërim Zotit për aktin e tij vetëzbrazës të denjimit për të marrë mbi vete natyrën tonë njerëzore me gjithë dhimbjet, betejat dhe kufizimet, për hatrin dhe për shpëtimin tonë. Apostulli Pal shkroi, “Ndonëse ai ishte i pasur, për hatrin tonë u bë i varfër, që me anë të varfërisë së tij ne të bëhemi të pasur” (2 Korintasit 8.9). Kjo është ajo çfarë ne festojmë në Krishtlindje. Në fjalët e himnit të madh të Charles Wesley:

I fshehur në mish, kryezoti, ja!

brohorisni Zotit të mishëruar!

I kënaqur, si njeri me njerëzit të jetonte,

Jezusi, Emanueli ynë,

Dëgjo, ëngjëjt lajmëtarë, këndojnë,

Lavdi mbretit të sapolindur!

Nga William Lane Craig