bird bird

Argumenti Moral

A mund të jesh i mirë pa Zotin? Le ta shohim!

Një njeri ndihmon një mace të zbresë nga pema. Absolutisht fantastike. Ja ku e ke, një provë e pakundërshtueshme që ti mund të jesh i mirë pa besuar në Zotin! Por prit! Pyetja nuk është “A mund të jesh i mirë pa besuar në Zot?” Pyetja është “A mund të jesh i mirë pa Zotin”?

Shiko, ja ku është problemi: Nëse nuk ka Zot, çfarë themelesh ngelen për të mirën apo të keqen objektive, të drejtën apo të gabuarën? Nëse Zoti nuk ekziston, vlerat morale objektive nuk ekzistojnë. Dhe ja pse: pa një pikë referimi objektive, ne nuk kemi asnjë mënyrë se si ta dimë nëse diçka është me kokën poshtë apo lart. Karakteri i Zotit siguron një pikë reference objektive për vlerat morale. Ai është standarti përkundrejt të cilit maten të gjitha veprimet dhe vendimet. Por nëse nuk ka Zot, nuk ka një pikë reference objektive. Gjithçka që na mbetet është këndvështrimi i një personi, i cili nuk është më i vlefshëm sesa këndvështrimi i ndonjë tjetri.

Ky lloj morali është subjektiv, jo objektiv. Ai është si preferenca për akullore me luleshtrydhe (jo me vanilje). Preferenca është subjektive, jo objektive. Kështu që nuk aplikohet edhe për njerëzit e tjerë. Në të njëjtën mënyrë, morali subjektiv bën vetëm për subjektin; nuk është i vlefshëm apo detyrues për askënd tjetër.

Kështu që, në një botë pa Zotin, nuk ka asgjë: “… as të keqe, as të mirë, por një indiferencë të verbër të pandjeshme.” (Riçard Daukins, Ateist).

Zoti e ka shprehur natyrën e tij morale ndaj nesh nëpërmjet urdhëresave. Këto sigurojnë themelin për detyrimet morale. P.sh.: dashuria, karakteristika themelore e Perëndisë, shprehet në urdhëresën e tij: “Duaje të afërmin tënd si vetveten.” (Bibla-Luka 10:27). Kjo urdhëresë siguron themelin mbi të cilin ne afirmojmë të mirën objektive të bujarisë, vetësakrificës dhe barazisë, dhe mund të dënojmë si objektivisht të keqe lakminë, abuzimin dhe diskriminimin.

Kjo ngre një problem: A është diçka e mirë vetëm sepse Perëndia e pëlqen atë, apo Perëndia pëlqen diçka sepse është e mirë? Përgjigja është: asnjëra prej tyre! Në fakt, Perëndia pëlqen diçka sepse Ai është i mirë. Zoti është standarti i vlerave morale ashtu si një performancë e drejtpërdrejtë muzikore është standarti për një regjistrim me saktësi të madhe. Sa më shumë t’i ngjajë regjistrimi origjinalit, aq më mirë është. Në të njëjtën mënyrë, sa më në përputhje me natyrën e Zotit të jetë një veprim moral, aq më i mirë është.

Nëse ateizmi është i vërtetë, nuk ka standarte përfundimtare, kështu që nuk mund të ketë parime dhe detyrime. Kush ose çfarë mund t’i vendosë detyrime të tilla mbi ne? Askush. Mbaj mend, për ateistin, njerëzit janë thjesht aksidente të natyrës, kafshë tepër të evoluara, por kafshët nuk kanë detyrime morale ndaj njëri-tjetrit. Kur një mace vret një mi, s’ka bërë asgjë të gabuar moralisht. Macja thjesht po sillet si mace. Nëse Zoti nuk ekziston atëherë ne duhet ta shohim sjelljen njerëzore me të njëjtën mënyrë. Asnjë veprim nuk duhet konsideruar si moralisht i drejtë apo i gabuar, por problemi është se e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara ekzistojnë! Ashtu si eksperienca e shqisave na bind që bota fizike është objektivisht reale, edhe eksperiencat morale na bindin që vlerat morale janë objektivisht reale. Çdo herë që thua: “Hej, ajo nuk është e drejtë, është e gabuar! Ajo është një padrejtësi!”- ti afirmon bindjen tënde për ekzistencën e moralit objektiv.

Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që abuzimi me fëmijët, diskriminimi racial dhe terrorizmi janë gabim për këdo dhe gjithmonë. A është kjo thjesht një preferencë apo opinion personal? Jo.

“Njeriu që thotë se është moralisht e pranueshme të përdhunosh fëmijë të vegjël është po aq gabim sa ai që thotë se 2+2 =5 (Majkëll Ruse, Agnostik)

Rezultati i gjithë kësaj është ai që quhet argumenti moral për ekzistencën e Perëndisë:

1. Nëse Zoti nuk ekziston, vlerat dhe detyrimet morale objektive nuk ekzistojnë.

2. Por vlerat dhe detyrimet morale ekzistojnë.

3. Prandaj Zoti ekziston.

Ateizmi nuk arrin të sigurojë një themel për realitetin moral që secili prej nesh përjeton çdo ditë. Në fakt, ekzistenca e moralit objektiv na drejton direkt tek ekzistenca e Perëndisë.