Koncepti për Perëndinë në Islam dhe Krishterim

Kam nderin t’ju prezantoj folësin e dytë për sot. Ai është profesor i kërkimeve filozofike në Shkollën Talbot të Teologjisë dhe profesor i filozofisë në Universitetin Baptist të Hjustonit. Ai është autor dhe folës i mirënjohur, që do të keni mundësi ta shihni edhe në rrjetin tonë NRB. Emri i tij është Dr. William Lane Craig. Ai flet dhe shkruan shpesh për islamin dhe ka mundësinë të përfaqësojë shpeshherë krishterimin në debate me mendimtarë myslimanë. Jemi të nderuar që ai është këtu me ne sot. Le të mirëpresim Dr. William Lane Craig.

Shumë faleminderit! Kjo është hera e parë që marr pjesë në një konventë të NRB-së dhe tashmë kam pasur kënaqësinë të shkëmbej mendime me shumë prej jush këtu në konferencë.

Unë e kam studiuar fenë islamike për më se 30 vjet. Si fillim, interesi për islamin më nisi nga studimi i të ashtuquajturit argumenti kozmologjik i Kalamit për ekzistencën e Perëndisë. Mendimtarët e hershëm të krishterë që jetonin në Aleksandri të Egjiptit e zhvilluan këtë argument në përgjigje të argumentit të Aristotelit për përjetësinë e universit. Ata argumentonin se universi e kishte një fillim dhe, për pasojë, ishte krijuar nga një Krijues transedental. Kur islami u përhap nëpër gjithë Afrikën veriore, ky argument u përvetësua në teologjinë islamike dhe, më pas, gjatë Mesjetës, u zhvillua në një nivel më të lartë sofistikimi prej teologëve myslimanë. Për shkak të kontributit të teologëve myslimanë në këtë argument, unë e kam riemëruar Argumenti Kozmologjik i Kalamit, sepse “Kalam” është fjala arabe për “teologji islamike”. Unë besoj se ky është një argument i fortë për ekzistencën e Perëndisë, dhe më ka shërbyer shumë mirë si mjet për të ndërtuar një urë me myslimanët për ndarjen e ungjillit.

Kur kreva studimet për doktoraturë në teologji në Munih të Gjermanisë, zgjodha islamin si një prej fushave dytësore për t’u specializuar. Kur mora këtë vendim, asnjëherë nuk do ta kisha ëndërruar se një ditë do të kthehej në temë me interes për publikun e gjerë. Por pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, papritur islami shpërtheu në ndërgjegjen publike të perëndimit. Profili i tij është rritur vit pas viti, me përhapjen e terrorizmit islamik nëpër botë. Ky ndërgjegjësim i shtuar për islamin e ka rritur interesin e njerëzve për të, ndërsa mua më ka dhënë mundësinë të flas në lidhje me përbashkësitë dhe kundërshtitë midis islamit dhe krishterimit. Kam pasur privilegjin të debatoj me disa prej teologëve kryesorë myslimanë në botë nëpër universitete amerikane dhe të huaja. Ndërsa sot jam ftuar të flas për konceptin e Perëndisë në islam dhe krishterim.

Pyetja prej nga nis hetimi ynë i sotëm nuk ka të bëjë thjesht me krahasimin e feve, por më tepër cili është i vërtetë: koncepti mysliman apo ai i krishterë për Perëndinë? Në ditët tona, kur fetë shihen me relativizëm, kjo pyetje është tërësisht e ë pasaktë nga ana politike. Të gjitha fetë supozohen të jenë të vërteta, apo jo?

Për mendimin tim, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është se relativizmi fetar, i cili është i pranuar pothuajse pa asnjë përjashtim prej njerëzve sot thjesht nuk është i vërtetë. Në fakt, relativizmi fetar është i paqëndrueshëm nga ana logjike e, për pasojë, nuk mund të jetë i vërtetë. Kjo për shkak se fetë e botës e perceptojnë Perëndinë, ose perënditë, në mënyra aq kundërshtuese sa nuk mund të jenë të gjitha të vërteta. Në veçanti, koncepti për Perëndisë në islam dhe krishterim ndryshon aq shumë sa këto fe nuk mund të jetë të dyja të sakta. Islami dhe krishterimi kanë doktrina ose mësime të ndryshme për Perëndinë, doktrina që i bëjnë këto fe të papajtueshme. Për shembull, të krishterët besojnë se Perëndia është tre-personal, se në një Perëndi të vetëm gjenden tre persona, të cilët i quajmë Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Myslimanët e mohojnë këtë doktrinë ose mësim. Ata besojnë se Perëndia është person në njëjës. Pra, nuk mund të kemi të dyja palët të drejtë. Mund të jemi të dyja palët gabim. Ndoshta kanë të drejtë budistët, që thonë se Perëndia është jopersonal. Por nuk mund të kemi të dyja palët të drejtë.

Prandaj, një pjesë e punës për vlerësimin e deklaratave konkurruese të islamit dhe krishterimit do të jetë vlerësimi i koncepteve të ndryshme që ato kanë për Perëndinë. Për pasojë, në bisedën tonë të sotme, dua që më parë të shohim parimet e kritikës islame ndaj konceptit të krishterë për Perëndinë e më pas të shqyrtojmë në mënyrë kritike konceptin mysliman për Perëndinë duke mbajtur në mendje përcaktimin e saktësisë.

Lë të shohim së pari konceptin e krishterë për Perëndinë dhe t’i bëjmë vetes pyetjen pse myslimanëve u duket i kundërshtueshëm nga ana logjike. Të krishterët besojnë se Perëndia është një qenie frymore e përjetshme e gjithëfuqishme, e gjithëdijshme e tërësisht e shenjtë dhe që ka krijuar universin. Myslimanët bien dakord me të gjitha këto atribute apo tipare të Perëndisë. Kjo nuk është diçka e habitshme, sepse islami, nga këndvështrimi historik, është një degë dytësore e traditës judeo-të krishterë. Prandaj, është e natyrshme se të kuptuarit tonë për Perëndinë është i ngjashëm në shumë aspekte. Por kundërshtimi më i madh që islami ka ndaj konceptit të krishterë për Perëndinë ka të bëjë me doktrinën e Trinisë.

Më konkretisht, të krishterët besojnë se Jezus Krishti është Biri i Perëndisë dhe ndan të njëjtën natyrë hyjnore me Perëndinë Atë. Myslimanët e refuzojnë këtë doktrinë, sepse besojnë se shkakton mëkatin që ata e quajnë “shirk”, që është mëkati i përafrimit të diçkaje me Perëndinë. Duke qenë se mendohet si i pakrahasueshëm, pa shok, Perëndia nuk mund të ketë Bir, siç pretendojnë të krishterët. Prandaj, Kurani flet kundër kujtdo që thotë se Perëndia ka një Bir, duke e konsideruar jobesimtar, dhe e dënon me zjarrin e ferrit për këtë deklaratë kaq blasfemuese. Kurani thotë: “Të pafe janë ata që thonë se Perëndia është Mesia, biri i Marisë. Me siguri, kujtdo që i përafron diçka, Perëndia do t’ia mohojë hyrjen në parajsë, dhe shtëpia e tij do të jetë zjarri. Askush nuk do t’i ndihmojë ata që bëjnë të keqen.”

Fatkeqësisht, denoncimi që i bën Kurani doktrinës së Trinisë duket se bazohet në një keqkuptim të rëndë të kësaj doktrine. Së pari, të japim pak kontekstin historik të kësaj. Deklaratat e hershme të besimit të krishterë e përqasën gjuhën e të folurit për Marinë si nëna e Zotit, sepse ajo lindi Jezus Krishtin. Për ata që nuk e njohin mirë teologjinë e etërve të hershëm të kishës, një shprehje e tillë, “Nëna e Zotit”, doemos do të shkaktojë keqkuptime. Por ajo që etërit e kishës donin të thoshin me këtë shprehje ishte se personi të Cilin Maria e lindi në trajtë njerëzore është një person hyjnor. Por Maria nuk solli në jetë natyrën hyjnore të Krishtit. Megjithatë, ajo mund të quhet “Nëna e Zotit”, pasi Krishti, të Cilin ajo e solli në jetë në trajtën e Tij njerëzore, ishte person hyjnor.

Por është e qartë se Muhamedi mendonte se të krishterët besonin në një Trini të përbërë nga Perëndia, Maria dhe fëmija i tyre, Jezusi. Nuk është e habitshme që u revoltua nga një doktrinë kaq qesharake. Mënyra se si Muhamedi e kuptonte Trininë është e qartë në pasazhe si këto që do të citoj e që gjenden në Kuran. “Perëndia do të thotë: Jezus, bir i Marisë, a i ke thënë ndonjëherë njerëzimit “Më adhuroni mua dhe nënë time si perëndi përveç Perëndisë?” Por ai do të përgjigjet: “Lavdi ty! Unë nuk do të shpallja kurrë atë që nuk më takon me të drejtë.” Më tej, Kurani thotë: “Krijuesi i qiellit dhe tokës, si mund të ketë bir ai, kur nuk ka bashkëshorte, dhe ai vetë ka krijuar gjithçka?”

Doktrina që refuzoi Muhamedi, që Perëndia Atë të ketë një femër njerëzore si bashkëshorte për të pasur një bir e që më pas këta të tre të adhurohen njësoj si perëndi, është një doktrinë që do ta refuzonte çdo i krishterë. Sipas Biblës, Jezusi quhet Bir i Perëndisë, sepse nuk kishte atë njerëzor dhe u ngjiz në mënyrë të mrekullueshme në një të virgjër. Tek Ungjilli sipas Lukës, engjëlli i thotë Marisë: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.” Ironia këtu nis nga fakti se Kurani e pohon lindjen e Jezusit nga e virgjëra. Në tregimin që jep Kurani, engjëlli thotë: “Unë nuk jam veçse lajmëtari i Zotit tënd dhe kam ardhur të të jap një bir të shenjtë.” Maria përgjigjet duke thënë: “Si do të lind një bir unë kur nuk më ka prekur asnjë burrë, dhe kam qenë gjithmonë e dëlirë?” Engjëlli përgjigjet: “Kështu ka folur Zoti yt: Kjo është shumë e lehtë për mua. Dekreti ynë do të kryhet.” Kështu, Maria mbetet shtatzënë në pritje të Jezusit. Për këtë arsye, asnjë mysliman nuk duhet të refuzojë ta quajë Jezusin Bir të Perëndisë në kuptimin e ngjizjes së Tij të mrekullueshme në të virgjërën.

Pra, nëse doktrina e Trinisë nuk është ajo karikaturë e refuzuar nga Muhamedi, atëherë çfarë është? Ajo është doktrina se Perëndia është tre-personal; nuk është deklarata vetëkundërshtuese se, në njëfarë mënyre, tre perëndi janë një i vetëm, apo se tre persona janë një person i vetëm. Kjo do të ishte tërësisht e paarsyeshme. Në të vërtet, kjo doktrinë deklaron se njësia e vetme që quajmë Perëndi është e përbërë nga tre persona. Kjo është njësoj e arsyeshme sa të thuash se figura gjeometrike që e quajmë trekëndësh përbëhet prej tre këndesh; tri kënde në një figurë të vetme. Tre persona në një qenie të vetme.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta menduar këtë është të themi se në Perëndinë gjenden tri qendra vetëdijeje, ndërsa unë, si njeri, jam qenie me një qendër të vetme vetëdijeje, të cilën e quaj “Uni”. Perëndia është një qenie me tri qendra vetëdijeje. Secili prej këtyre tre personave është i barabartë në lavdi dhe hyjni, por ne i quajmë Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë për shkak të roleve të ndryshme që luajnë në lidhje me ne. Ati është personi që dërgon Birin në tokë. Biri është personi që merr natyrë njerëzore dhe mishërohet si Jezusi i Nazaretit. Fryma e Shenjtë është personi që qëndron në vend të Krishtit deri në kthimin e Tij.

Edhe pse kjo doktrinë mund t’u duket e çuditshme myslimanëve, ajo është tërësisht e arsyeshme nëse parashtrohet siç duhet. Kjo doktrinë është logjikisht e qëndrueshme e, për pasojë, e pakundërshtueshme logjikisht.

Në fakt, pikën e parë të fjalimit tim do të doja ta përmbyllja duke ofruar një argument se pse është e pranueshme të mendohet se Perëndia është trini. Si fillim, Perëndia, nga vetë përkufizimi i fjalës, është qenia më e madhe që mund të mendohet ndonjëherë. Po të ishim në gjendje të mendonim për diçka më të madhe se Perëndia, atëherë ajo gjë do të ishte perëndia. Çdo mysliman që vdes duke thirrur “Allahu Akbar”, e pranon këtë ide: se Perëndia është qenia më e madhe që mund të mendohet.

Si qenia më e madhe që mund të mendohet, Perëndia duhet të jetë i përsosur; po të gjendej në Të ndonjë papërsosmëri, Perëndia nuk do të ishte qenia më e madhe që mund të mendohet. Një qenie e përsosur duhet të jetë një qenie që jep dashuri, sepse dashuria është përsosmëri morale. Është më mirë për një person që të japë dashuri sesa të mos japë. Për pasojë, Perëndia duhet të jetë një qenie që jep dashuri në mënyrë të përsosur. Nga vetë natyra e saj, dashuria do që të japë nga vetja. Dashuria shtrihet drejt një personi tjetër, në vend që të përqendrohet vetëm te vetja. Kështu, nëse Perëndia jep dashuri në mënyrë të përsosur, nga vetë natyra e Tij, Ai duhet t’ia japë Veten në dashuri një personi tjetër. Por kush është ky person tjetër? Nuk mund të jetë një person i krijuar, sepse krijimi është rezultat i vullnetit të lirë të Perëndisë, jo i natyrës së Tij. Dashuria është pjesë e vetë thelbit të Perëndisë, ndërsa krijimi jo. Dashuria është domosdoshmëri në Perëndinë, ndërsa krijimi jo. Pra, ne mund ta imagjinojmë një botë ku Perëndia jep dashuri në mënyrë të përsosur, e megjithatë nuk ekziston asnjë qenie e krijuar. Kështu, qeniet e krijuara nuk mund të jenë shpjegim i mjaftueshëm i objektit të dashurisë së Perëndisë. Vijimi logjik i kësaj është se personi të cilit i drejtohet detyrimisht dashuria e Perëndisë duhet të jetë i brendshëm për Vetë Perëndinë. Me fjalë të tjera, Perëndia nuk është një qenie e vetme dhe e izoluar, siç besohet në islam. Përkundrazi, Perëndia është më shumë se një person, siç thotë doktrina e krishterë e trinisë.

Në këndvështrimin islamik, Perëndia nuk është person që detyrimisht jep nga Vetja prej dashurisë për dikë tjetër. Ai përqendrohet vetëm te Vetja. Për pasojë, Ai nuk mund të jetë qenia më e përsosur. Por sipas këndvështrimit të krishterë, Perëndia është një triadë personash në marrëdhënie të përjetshme dashurie që jep nga vetja. Duke qenë se Perëndia e ka në thelb të dhënët dashuri, doktrina e trinisë është më e besueshme se çfarëdolloj koncepti unitar për Të, siç është islami. Pse? Sepse Perëndia, nga vetë natyra e Tij, është qenie që jep dashuri në mënyrë të përsosur, qenie që jep dashuri vetësakrifikuese.

Për ta përmbledhur pikën time të parë, pamë se refuzimi klasik që i bën islami konceptit të krishterë për Perëndinë bazohet në një keqkuptim të madh të doktrinës së Trinisë. Kur parashtrohet me saktësi, kjo doktrinë është jo vetëm e pakundërshtueshme logjikisht, por edhe shumë e pranueshme. Për pasojë, koncepti i krishterë për Perëndinë është i pakundërshtueshëm logjikisht.

Kjo na çon në pikën e dytë që dua të ndaj: se koncepti mysliman për Perëndinë është i kundërshtueshëm logjikisht. Kur them këtë, nuk kam si qëllim të ul apo sulmoj dikë personalisht. Dua të them vetëm se mua më duket se koncepti islamik për Perëndinë vërtet ka probleme, që e bëjnë të kundërshtueshëm logjikisht.

Më lejoni të ndaj sot me ju disa prej këtyre pasaktësive, pra që islami ka një koncept të pasaktë nga ana morale për Perëndinë. Pamë se të krishterët dhe myslimanët bien dakord se Perëndia, nga vetë përkufizimi i fjalës, është qenia më e madhe që mund të mendohet. Gjithashtu, përveç të qenët i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm e i gjithëdijshëm e kështu me radhë, qenia më e madhe që mund të mendohet duhet të jetë edhe i përsosur nga ana morale. Kjo do të thotë se Perëndia duhet të jetë një qenie plot dashuri e hir. Për pasojë, si qenie e përsosur, Perëndia duhet të jetë gjithëdashës, pikërisht çfarë pohon Bibla. Bibla thotë: “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që Ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona.” Më tej thotë përsëri: “Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.”

Jezusi dha mësim për dashurinë e pakusht të Perëndisë për mëkatarët. Këtë e shohim për shembull te shëmbëlltyrat e Tij, si ajo e djali plangprishës ose e deles së humbur. E shohim në praktikën e Tij të bashkësisë në tavolinë me të pamoralshmit dhe të papastrit, por edhe në fjalët e Tij, si te predikimi në mal. P.sh., Ai thotë: “Ju keni dëgjuar se qe thënë: “Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd”. Por unë po ju them: “Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?... Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.” Dashuria e Atit qiellor është e paanshme, universale dhe e pakusht. Sa ndryshe nga Perëndia i Kuranit!

Tani do t’ju them diçka që nuk do ta dëgjoni kurrë në media apo prej zyrtarëve tanë publikë, sepse ata nuk guxojnë të thonë gjëra të tilla. Ata nuk mund të rrezikojnë të humbasin simpatinë e qindra miliona myslimanëve duke thënë ndonjë fjalë kritike ndaj islamit. Por ndershmëria më shtyn të them, me sinqeritet e pa zemërim, se Perëndia i Kuranit nuk është Ai Perëndia i dashur që është zbuluar në Jezusin. Sipas Kuranit, Perëndia nuk i do mëkatarët. Ky fakt theksohet nëpër faqet e Kuranit në mënyrë të përsëritur e të qëndrueshme, si ritmi i daulles. Ja, dëgjoni vargjet e mëposhtme: “Perëndia nuk e do jobesimtarin. Perëndia nuk e do atë që i mungon zelli dhe mëkatarin. Perëndia nuk e do keqbërësin. Perëndia nuk e do krenarin. Perëndia nuk i do shkelësit. Perëndia nuk e do plangprishësin. Perëndia nuk e do të pabesin. Perëndia është armik i jobesimtarit.” Kurani shpall pa pushim se Perëndia nuk i do pikërisht ata njerëz për të cilët Bibla thotë se Ai i deshi aq shumë sa të jepte Birin e Tij të vetëm që të vdiste për ta.

Kjo mund të ngjajë paradoksale kur e përball me faktin se Kurani e quan Perëndinë “të gjithëmëshirshëm”, derisa kupton se, në fakt, sipas Kuranit, mëshira e Perëndisë përkthehet kështu: nëse beson dhe bën vepra të mira, Perëndia mund të të japë atë që ke fituar, plus ndonjë shpërblim. Prandaj Kurani premton: “Puno dhe me siguri Perëndia do ta shohë punën tënde.” Ose më tej: “Çdo frymë do të paguhet plotësisht për çfarë ka fituar.” Përsëri: “Ata që besojnë, bëjnë vepra drejtësie, luten dhe bëjnë bamirësi, paga e tyre është te Perëndia.” Pra, sipas Kuranit, dashuria e Perëndisë i rezervohet vetëm atyre që e fitojnë atë. Ai thotë se atyre që besojnë dhe veprojnë me drejtësi, Perëndia do t’u caktojë dashuri.

Pra, sipas Kuranit, dashuria e Perëndisë i rezervohet atyre që kanë frikë prej Tij dhe që bëjnë të mirën, ndërsa për mëkatarët dhe jobesimtarët Ai nuk ka dashuri. Kështu, sipas konceptit islamik të Perëndisë, Ai nuk është gjithëdashës. Dashuria e Tij është e anshme dhe duhet fituar. Perëndia i myslimanëve do vetëm ata që e duan atë më parë. Kështu, dashuria e Tij nuk qëndron aspak më lart se lloji i dashurisë për të cilën Jezusi tha se mund ta shfaqnin edhe tagrambledhësit dhe mëkatarët.

A nuk mendoni edhe ju se ky koncept për Perëndinë është i papërshtatshëm nga ana morale? Çfarë do të mendonit për një prind që i thotë fëmijëve të tij: “Nëse i përmbush standardet e mia dhe bën ashtu si të them, unë do të të dua.”? Disa prej jush kanë pasur prindër të tillë, dhe jeni të vetëdijshëm për plagët emocionale që ju janë shkaktuar ngaqë nuk ju kanë dhënë dashuri pa kushte. Si qenia më e madhe që mund të mendohet, qenia më e përsosur, burimi i gjithë mirësisë dhe dashurisë, dashuria e Perëndisë duhet të jetë pa kushte, e paanshme dhe universale. Prandaj mua më duket se koncepti islamik për Perëndinë është i papërsosur nga ana morale e, për pasojë, nuk mund ta pranoj në mënyrë të arsyeshme. Pa dyshim, ndryshimi ndërmjet Atit qiellor të Jezusit dhe perëndisë së Muhamedit shfaqet shumë qartë në qëndrimin besimtarët urdhërohen të kenë ndaj jobesimtarëve. Jezusi tha se ne duhet t’i duam jobesimtarët, ashtu siç i do Perëndia, edhe nëse i kemi armiq. Qëndrimi në mësimet e Muhamedit ishte shumë ndryshe. Herët në karrierën e tij, kur ai vetë ishte pjesë e pakicës së përndjekur, qëndrimi i Muhamedit ndaj hebrenjve dhe të krishterëve ishte shumë pozitiv, duke i quajtur ata “populli i librit”, për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Biblës. Ai besonte se, pasi ta kishin kuptuar mesazhin e tij, hebrenjtë do të donin vetë të konvertoheshin në islam. Pjesët e Kuranit nga kjo kohë e hershme e jetës së Muhamedit janë shumë pozitive ndaj hebrenjve dhe të krishterëve. Por kur hebrenjtë nuk u konvertuan dhe e kundërshtuan Muhamedin, hidhësia e tij ndaj tyre u shtua vazhdimisht. Pasi fitoi fuqi ushtarake dhe politike, Muhamedi, profeti i përndjekur, ndryshoi për t’u bërë politikan i paskrupullt. Ai nisi t’i vriste ose t’u merrte pasurinë hebrenjve në Medinë, qendra e veprimtarive të tij. Në vitin 627, pasi ushtria arabe nga Meka kreu një sulm të dështuar kundër Medinës, Muhamedi rreshtoi qindra familje hebreje nga Medina, me pasojë vrasjen me shpatë të 700 burrave hebrenj, ndërkohë që gratë dhe fëmijët e tyre u shiti si skllevër prej Muhamedit. Ai e kuptoi se, për të unifikuar fiset e përçara arabe, zgjerimi i jashtëm ishte i domosdoshëm. Kështu, e ktheu vështrimin drejt Sirisë dhe Irakut si shënjestra të qarta.

Në këtë kohë, ai u hoqi çdo mbrojtje paganëve. Nëse nuk i nënshtroheshin islamit, ata do të shfaroseshin. Kapitulli i nëntë i Kuranit u shkrua gjatë kësaj periudhe të jetës së Muhamedit dhe tregon se, për katër muaj, idhujtarët paganë do të liheshin të qetë e nuk do të ngacmoheshin. Pastaj vjen kjo urdhëresë drithëruese: “Kur të mbarojnë këta muaj të shenjtë, vritini idhujtarët kudo që t’i gjeni. Arrestojini. Rrethojini. Rrini në pritje të tyre. Vëruni pusi gjithandej. Por nëse pendohen dhe fillojnë të luten e të japin lëmoshë, lërini të vazhdojnë rrugën, sepse janë bërë vëllezërit tuaj.” Jo vetëm paganët, por edhe hebrenjtë dhe të krishterët, që dikur ishin “populli i respektuar i librit”. Tani këta ranë në zgjedhën e Muhamedit. Nëse nuk nënshtroheshin, edhe ata do të shfaroseshin njësoj. Më tej, kapitulli 9 i urdhëron myslimanët: “Luftojini ata që janë nga populli i librit e që nuk përvetësojnë besimin e ri, derisa të paguajnë haraçe me duart e tyre dhe të jenë nënshtruar plotësisht.” Ky kapitull vazhdon duke qortuar me fjalët më të ashpra të mundshme çdo mysliman që nuk ofrohet për të luftuar, duke thënë se këta Perëndia do t’i dënojë e do t’i zëvendësojë. Myslimanët që refuzojnë do të goditen prej Perëndisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose frikshëm nga duart e myslimanëve besnikë që shkojnë në luftë. Atij që heziton i thuhet “Prit, po deshe, se edhe ne po presim.” Por atyre që ofrohen të marrin pjesë në luftën e shenjtë të Perëndisë u premtohet ose fitorja, ose martirizimi. Atyre që vdesin për çështjen e Perëndisë u premtohet një parajsë me kënaqësi sensuale, me kopshte të gjelbra ku vërshon uji, divane mëndafshi, verë me bollëk dhe virgjëresha të bëshme syzeza për kënaqësinë e tyre.

Këto janë urdhëresat e fundit që jep Kurani për sa u përket jobesimtarëve. Muhamedi vdiq jo shumë kohë më pas, në vitin 632, me plane të bëra gati për sulmin kundër vendeve fqinje. Këto sulme i kryen pasardhësit e tij. Në 633, ushtritë e islamit morën Persinë. Në 635, ra Damasku. Në 638, Jeruzalemi u mposht. Në 640, u mor Egjipti, e kështu me radhë gjithë vendet e Afrikës veriore deri në brigjet e Atlantikut.

Ne këtu në perëndim, me vlerat tona demokratike liberale, kemi prirjen të mendojmë se, me siguri, çdo fe ndan të njëjtat vlera me ne. Zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur shpesh se nuk duhet t’i referohemi terroristëve si fondamentalistë islamikë, sepse këta janë vrasës dhe asnjë fe e madhe nuk e mbështet vrasjen. Pyes veten a e kanë lexuar ndonjëherë kapitullin e nëntë të Kuranit këta zyrtarë. E vërteta është se islami është fe që e urdhëron dhunën dhe që historikisht është shumuar prej saj. Ndryshe nga çfarë dëgjoni pa fund në media, fjala “islam” nuk do të thotë “paqe”. Ky pretendim është i gabuar nga ana gjuhësore. “Islam” është fjala arabe për “nënshtrim” ose “dorëzim”. Për këtë thirren myslimanët: që t’i dorëzojnë gjithçka Perëndisë.

Ndryshe nga mënyra perëndimore e të menduarit, islami nuk është kishë. Të kuptuarit e kësaj është me rëndësi jetike. Islami është mënyrë totale të jetuari, ku gjithçka duhet t’i dorëzohet Perëndisë: qeveria, ekonomia, morali social, çdo aspekt i shoqërisë duhet t’i nënshtrohet Perëndisë. Për pasojë, islami është gjithëpërpirës. Ideja perëndimore e ndarjes së kishës dhe shtetit nuk ka kuptim për islamin, sepse gjithçka duhet t’i nënshtrohet Perëndisë. Kjo do të thotë se vetëm vendet islame të ashtuquajtura të moderuara, si Egjipti dhe Turqia, kanë qeveri laike të shkëputura prej ligjit islamik. Kjo është si ndarja e kishës dhe shtetit, por në rastin e këtyre shteteve, ato nuk po veprojnë në përputhje me islamin. Këto vende kanë përvetësuar mënyrën perëndimore të qeverisjes, ndarjen e kishës dhe shtetit, gjë kjo tërësisht e papërputhshme me islamin. Prandaj, fondamentalistët islamikë i urrejnë këto regjime të moderuara arabe dhe duan të bëjnë gjithçka për t’i rrëzuar. Fondamentalistët e kanë kuptuar më saktë natyrën e vërtetë të islamit.

Për ta përmbledhur: si fillim pamë se koncepti i krishterë për Perëndinë si trini është i pakundërshtueshëm logjikisht. Së dyti, koncepti mysliman për Perëndinë, ndryshe nga ai i krishterë, është i kundërshtueshëm logjikisht, sepse Perëndia i islamit është i papërsosur moralisht dhe, për pasojë, nuk mund të jetë qenia më e madhe që mund të mendohet. Prandaj është me rëndësi jetike që ta kemi të qartë konceptin tonë për Perëndinë. Siç ka thënë një teolog i krishterë: “Lavdi Perëndisë për Perëndinë!”

Faleminderit, Dr. Craig. Para se të largoheni, më lejoni t’ju bëj një pyetje. Bëhet fjalë për një lajm të javës së shkuar, besoj. Kareem Abdul Jabbar tha se fondamentalizmi islamik është për islamin si Ku Klux Klani për krishterimin. Ky është këndvështrimi që na thuhet se duhet të përvetësojmë, por ju thatë diçka shumë ndryshe.

Unë do të thosha se islami i moderuar është për islamin si krishterimi nominal e kulturor për krishterimin. Në këtë rast, bëhet fjalë vetëm për një seri normash morale e kulturore të përvetësuara, por jo përfaqësuese të mësimeve themelore të librave origjinalë të secilit prej dy besimeve, qoftë ky Kurani apo Bibla.

Shumë e dobishme. Ta falënderojmë edhe një herë Dr. Craig për prezantimin e tij.

Përktheu: Brunilda Rustani