bird bird

Pra, Sapo u Bërë i Krishterë!

Në momentin që iu përgjigje Krishtit, të ndodhën një sërë gjërash.

  1. Së pari, t’u dha një jetë e re. Fillove një marrëdhënie me Perëndinë që do të zgjasë përgjithmonë.
  2. Së dyti, fitove një status të ri përpara Perëndisë. Kalove nga të qenit nën dënimin e drejtë të Perëndisë në faljen e plotë të të gjitha mëkateve të tua.
  3. Së treti, u birësove në një familje të re si fëmijë i Perëndisë. Tani i përket një familjeje të madhe dhe tepër të larmishme globale.
  4. Së katërti, t’u dha një punë e re. Tani ti përfaqëson Krishtin me fjalët dhe veprimet e tua për këdo që takon. Perëndia dëshiron ta rrisë familjen e Tij nëpërmjet teje!
  5. Së pesti, ke edhe armiq të rinj, ndaj prit telashe. Kjo botë do të të bëjë presion që të përshtatesh me të... natyra jote e vjetër do të të tradhtojë ... dhe forcat e errësirës do të të kundërshtojnë.
  6. Por, ti ke gjithashtu një aleat të ri të fuqishëm. Në çastin kur ia kushtove jetën Krishtit, Fryma e Perëndisë hyri dhe u vendos përgjithmonë në zemrën dhe mendjen tënde. Lejoje të të fuqizojë dhe të të udhëheqë ndërsa vazhdon udhëtimin, që të të mbajë në rrugën e duhur. Nëse pengohesh dhe gabon, rrëfeja menjëherë Perëndisë, kërko faljen e Tij dhe dorëzoju përsëri Frymës së Perëndisë.

I krishteri produktiv nuk mbështetet në përpjekjet e veta; përkundrazi, ai mbështetet në Frymën e Perëndisë. Siç shkroi Apostulli Pal, “Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton nëpërmjet meje”. Kur një degë lidhet me hardhinë, ajo prodhon fryt në mënyrë natyrale! Nga ana tjetër, i krishteri joproduktiv orientohet nga performanca. Ai përpiqet të jetë “mjaft i mirë” me përpjekjet e tij të mëdha por ndihet fajtor sepse nuk mund të bëjë kurrë aq sa duhet. Përpjekja për ta jetuar jetën e krishterë me forcat e tua thjesht të bën të mjerë!

Atëherë ... si të mbështetesh çdo ditë në Frymën e Shenjtë?

  1. Së pari, sapo të bëhesh i vetëdijshëm për ndonjë mëkat në jetën tënde, rrëfeje atë përpara Perëndisë. Mos e fshih dhe mos e justifiko mosbindjen. Perëndia mezi pret të të falë dhe të të afrojë përsëri.
  2. Më pas, ripërkushtohu – me trup e shpirt – për t’iu dorëzuar vazhdimisht, ditë për ditë Perëndisë. Kërkoji Frymës së Tij të të udhëheqë dhe të të forcojë. Ndërsa kjo jetë e mbushur me Frymën rritet brenda teje, ti do të transformohesh gradualisht. Do të kesh uri për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Fillo ta lexosh sot dhe ftoje Frymën e Perëndisë të të mësojë ndërsa lexon. Mund të fillosh me Ungjillin e Markut.
  3. Do të mësosh gjithashtu të jetosh në bashkësi me besimtarë të tjerë. Ndjekja e Jezusit nuk bëhet në izolim. Bashkohu me besimtarë të tjerë për të adhuruar, për t’u lutur dhe për të studiuar Biblën. Mbaj mend, secili prej nesh është ende i papërsosur, ndaj bëj durim me të metat e vëllezërve dhe motrave të tua, ashtu siç është i durueshëm me ty Perëndia.

Ndjekja e Krishtit është aventura e jetës. Përvoja jote e përditshme mund të mos bëhet më e lehtë. Në fakt, mund të përballesh me vështirësi më të mëdha. Por do të ndjesh kënaqësinë e thellë të njohjes së Perëndisë dhe të kënaqjes me Të përgjithmonë.

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; mos u tremb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë do të të forcoj dhe do të të ndihmoj; Unë do të të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.” (Isaia 41:10)