bird bird

Vuajtjen dhe Ligësinë: Problemi Logjik

Vuajtjen dhe Ligësinë: Problemi Logjik

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në botë ka vuajtje dhe ligësi.

Vuajtje të tmerrshme. Ligësi të papërshkrueshme.

Po atëherë, si mundet dikush të besojë në ekzistencën e një Perëndie gjithëdashës e të gjithëfuqishëm?

Gjithashtu, nëse Perëndia vërtet ekziston, pse vallë do të donte dikush ta adhuronte?

Vuajtja dhe e Keqja: Problemi Llogjik

Ja si e paraqiti Epikuri problemin logjik të vuajtjes dhe ligësisë:

  • Nëse ka DËSHIRËN, por jo AFTËSINË ta parandalojë ligësinë, Perëndia nuk është i gjithëfuqishëm.
  • Nëse ka AFTËSINË, por jo DËSHIRËN ta parandalojë ligësinë, Ai nuk është i mirë.
  • Por, nëse Ai ka edhe DËSHIRËN, edhe AFTËSINË ta parandalojë, si ka mundësi që ligësia ekziston?
  • Nga ana tjetër, nëse Ai nuk ka as AFTËSINË, as DËSHIRËN, pse duhet ta quajmë Perëndi?

Me fjalë të tjera, është e pamundur logjikisht që të ekzistojnë njëkohësisht edhe Perëndia, edhe vuajtja. Por ne e dimë shumë mirë se vuajtja ekziston. Pra, për pasojë, Perëndia nuk ekziston.

A është një argument i mirë ky? Le ta shohim më me kujdes.

A janë të papajtueshme logjikisht këto dy argumente? ... Jo.

Ja një shembull i dy deklaratave të papajtueshme logjikisht! Davidi nuk mund të jetë edhe i martuar, edhe beqar!

Por nuk ka asnjë kundërshti të qartë ndërmjet KËTYRE dy deklaratave. Pra, ky argument duhet të fshehë disa hamendje që do të nxirrnin në pah kundërshtinë e pretenduar. Ato janë si më poshtë:

  • Nëse Perëndia është i gjithëFUQISHËM, Ai mund të krijojë çfarëdo bote që të dojë.

...dhe...

  • Nëse Perëndia është gjithëDASHËS, Ai PREFERON një botë pa vuajtje.

Pra, nëse ekziston një Perëndi i gjithëfuqishëm e gjithëdashës, përfundimi logjik është se vuajtja nuk ekziston.

Meqë është e qartë se vuajtja ekziston, ateisti mbërrin në përfundimin se nuk mund të ekzistojë Perëndia.

Por a janë domosdoshmërish të vërteta dy hamendjet e fshehura të ateistit?

Shqyrtoni hamendjen e parë. A mundet Perëndia të krijojë çfarëdo bote që të dojë? Po sikur të donte një botë të populluar nga njerëz me vullnet të lirë? Është e pamundur logjikisht që Perëndia të detyronte dikë të zgjidhte të bënte të mirën me vullnet të lirë. Detyrimi i zgjedhjes së lirë tingëllon si vizatimi i një rrethi katror. Nuk është e mundur logjikisht. Jo se Perëndia nuk e ka fuqinë ta bëjë këtë, por sepse vetë çështja e supozuar nuk ka kurrfarë kuptimi.

Pra, mundet që krijimi i një bote të populluar nga njerëz që zgjedhin gjithmonë të bëjnë gjënë e mirë moralisht të mos jetë i realizueshëm. Pra, hamendja e parë nuk është domosdoshmërish e vërtetë. Për pasojë, argumenti bie.

Po hamendja e dytë? A është domosdoshmërisht e vërtetë se Perëndia do të preferonte një botë pa vuajtje? Si mund ta dimë këtë?

Të gjithë jemi në dijeni të rasteve kur lejojmë vuajtje në mënyrë që të mundësohet një e mirë më e madhe.

Nëse ekziston sadopak mundësia që Perëndia të lejojë vuajtjen në mënyrë që të arrihet një e mirë më e madhe, ne nuk mund të themi që kjo hamendje është domosdoshmërisht e vërtetë.

Për ta bërë të suksesshëm problemin logjik të vuajtjes, ateistit do t’i duhej të vërtetonte se ekzistenca e vullnetit të lirë është e pamundur logjikisht – DHE – se është e pamundur logjikisht që Perëndia të ketë arsye të mira për lejimin e vuajtjes.

Kjo barrë prove është shumë e rëndë për t’u mbartur! Gjasat që EDHE Perëndia, EDHE vuajtja të ekzistojnë janë reale.

Kjo është arsyeja pse filozofët, madje dhe ata ateistë, kanë hequr dorë nga problemi logjik i ligësisë.

“Ne mund të arrijmë në përfundimin se problem i së keqes nuk tregon në fund të fundit se doktrinat themelore të teizmit janë logjikisht në mospërputhje me njëra tjetrën.” (J.L. Mackie, Ateist)

“Disa filozof kanë argumentuar që egzistenca e së keqes është logjikisht në mospërputhje me egzistencën e Zotit teist. Askush, mendoj, nuk ia ka dalë të ketë sukses në vërtetimin e një deklarate kaq të tepruar.” (William L. Rowe, Ateist)

“Është pranuar tashmë nga (pothuajse) të gjitha palët se argumenti logjik ka falimentuar.” (William P. Alston)

Por diskutimi nuk përfundon këtu. Ne ende duhet të eksplorojmë versionin e probabilitetit për sa i përket problemit të ligësisë.